TIRANË-Partia “Shqipëria Bëhet”, e përfaqësuar nga kryetari i saj, Adriatik Lapaj, i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për kompensimin e qirasë së selisë së saj qendrore në Tiranë.
Sipas dokumentit, kërkesa drejtuar KQZ bazohet në Ligjin për Partitë Politike, i cili detyron shtetin të sigurojë ndërtesa për selitë e partive parlamentare ose të marrë përsipër pagesën e qirasë kur nuk gjenden ndërtesa të lira shtetërore. Lapaj i ka bërë më herët shkresë Bashkisë Tiranë për të gjetur zyra për partinë, por Bashkia ka bërë me dije se nuk disponojnë ambiente në pronësi të Bashkisë Tiranë, për t’ua vendosur në dispozicion.
Partia ka lidhur një kontratë private qiraje për një objekt (njësi) me sipërfaqe totale rreth 163 m² në rrugën “Jeronim De Rada” në Tiranë. Vlera mujore e qirasë, për të cilën kërkohet kompensimi, është 250,000 lekë të reja ose 2500 euro në muaj.



