TIRANË- Viti 2025 nuk solli ndryshim në qeverisje, të paktën përmes zgjedhjeve… Të parat ato parlamentare të mbajtura në 11 Maj, që sollën një mandat të katërt për socialistët në pushtet, dhe të dytat zgjedhjet e pjesshme lokale që u mbajtën 9 Nëntor, në 5 Bashki të vendit, që u fituan po ashtu nga të majtët, me opozitën që ‘fshehu’ humbjen përmes kandidatëve të pavarur, që garuan jashtë siglës së tyre.
Zgjedhjet parlamentare të Majit, sollën një rezultat rekord për socialistët, që arritën të siguronin 83 mandate, përkundrejt 50 që arriti të fitonte Partia Demokratike, që një pjesë të vendeve në listat e sigurta i rezervoi për aleatët e saj, përfshirë Partinë e Lirisë, që u tkurr dukshëm me burgosjen e Ilir Metës në Tetor të vitit 2024.
E vetmja risi e këtyre zgjedhjeve ishte thyerja e barrierave nga partitë e vogla, të cilat arritën që të siguronin mandate deputetësh. 3 vende siguroi Partia e Tom Doshit, i cili vetë zgjodhi që të hiqte dorë nga mandati, edhe për shkak të telasheve të shpeshta në dyert e SPAK, ndërkohë që Agron Shehaj me Mundësinë arriti që të fitonte 2 mandate. Përfaqësim në Kuvend, me nga një mandat arritën që të merrnin dhe Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit, dhe Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt, por të dy ata mbetën pa mandat, për shkak të basteve dhe premtimeve që ndoshta në nxitim e sipër bënë në kohë fushate.
Qori i la vendin të parit në listë, Redi Muçit, ndërkohë që Lapaj, për të rritur pritshmëritë e mbështetësve, deklaroi se po të fitonin vetëm një mandat, ai nuk do të futej në Kuvend, dhe ashtu ndodhi… Mandati i Shqipëria Bëhet u hodh në pazar, edhe për shkak të konfliktit të Lapajt, me aleatin e atëhershëm, Endri Shabani, ndërsa mes dajes dhe tezes, mandati si përfundim iu dha të afërmes së Lapajt, e cila ishte bërë pjesë e listës vetëm për të mbushur numrat.
Përveç rezultatit të thellë të socialistëve, padyshim që 11 Maji nuk prodhoi ndryshim, me kryeministrin Edi Rama që operacionin ‘fshesa’ e kishte kryer që në hartimin e listave, pasi më shumë se 70 përqind e deputetëve të zgjedhur hynë në Kuvend për herë të parë.
Risi kishte dhe në qeverisjen e vendit, me një pjesë të ministreve gra, që u ricikluan në pozicione të reja në kabinet. Pas zgjedhjeve parlamentare, ku disa kryebashkiakë zgjodhën mandatin e deputetit, u krijuan vakanca në disa bashki të vendit, si Berati apo Mati, ndërsa Tirana u fut në një amulli për shkak të burgosjes së Erion Veliajt. Rama vendosi të shkarkonte Veliajn nga posti i kryebashkiakut, ndërsa ky i fundit fitoi të drejtën në Gjykatën Kushtetuese duke anuluar zgjedhjet në kryeqytet.
Në 5 bashkitë e vendit, ku u mbajtën zgjedhjet, PD vendosi të mbështeste kandidatë të pavarur, ndërsa socialistët arritën fitore të thella, deri në 82 përqind.
KQZ i dha mandatin Brunilda Mersinit në Bashkinë Vlorë, Ervin Cecës në Berat, Florenc Dokës në Cërrik, Altin Bojnit në Mat dhe Gramos Sakos në Tepelenë, të gjithë të propozuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë.
Pas zgjedhjeve, qoftë atyre parlamentare dhe qoftë atyre të pjesshme, Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për manipulimin e tyre, e megjithatë shifrat që vit pas viti rrudhen tregojnë shumë për mungesën e shpresës, dhe lëvizjet për ndryshim në Shqipëri./ZËRI






