KOSOVË- “KRIZË, ZGJEDHJE, DESTABILITET”– këto tre terma e kanë shoqëruar Kosovën që nga zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt 2025. Vetëm brenda vitit të kaluar, vendi zhvilloi tri palë zgjedhje, duke hyrë në një cikël tensionesh politike dhe bllokadash institucionale.
Në fund të dhjetorit 2025, Lëvizja VETËVENDOSJE arriti të siguronte 51% të votave, duke krijuar bindjen se kriza politike po shkonte drejt fundit. Pas muajsh pa stabilitet institucional, VETËVENDOSJE arriti të krijonte qeverinë dhe të merrte nën kontroll institucionet kryesore të vendit.
Megjithatë, sfida më e madhe mbeti zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani do të përfundonte më 4 prill 2026. Sipas Kushtetutës, presidenti zgjidhet nga Kuvendi. Në dy raundet e parë nevojiten 80 vota nga 120 deputetë, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota, por vetëm nëse sigurohet kuorumi në sallë.
Problemi kryesor ishte se VETËVENDOSJE nuk i kishte votat e mjaftueshme për të zgjedhur e vetme presidentin, ndaj kërkohej bashkëpunim me opozitën. Në fillim të vitit 2026 nisën konsultimet e para politike. Fillimisht u diskutua mundësia për rikandidimin e Vjosa Osmanit, por kjo nuk mori mbështetjen e plotë politike. Më pas VETËVENDOSJE propozoi emrin e Glauk Konjufcës, por opozita menjëherë e refuzoi kandidaturën e tij, pasi kërkonte që presidenti i ri të ishte një figurë konsensuale dhe jopartiake.
Nga marsi deri në prill, klima politike në Kosovë u përkeqësua vazhdimisht. Më 5 mars, Kuvendi nisi punimet për zgjedhjen e presidentit të ri, pasi Gjykata Kushtetuese ishte shprehur se presidenti duhet të zgjidhej 30 ditë para mbarimit të mandatit të presidentit aktual. Pas propozimit nga VETËVENDOSJA të Glauk Konjufcës dhe më pas të Fatime Kollçaku Mullhaxhës, procesi dështoi në sallë, pasi ishin vetëm 66 deputetë, shumë më pak se 80 sa kërkonte Kushtetuta.
Pas kësaj situate, Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Mirëpo, Lëvizja VETËVENDOSJE e çoi aktin e presidentes në Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese doli me vendimin se Kuvendi nuk duhet të shpërbëhej dhe se tashmë ka një afat të ri për zgjedhjen e presidentit. Pas këtij momenti, Kurti iu dha mundësi partive opozitare që të propozoni kandidatët e tyre, por asnjëra nga ato nuk kishin një emër. Më pas VETËVENDOSJE propozoi Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën, si kandidatura konsensuale, por marrëveshja nuk u arrit sërish.
28 prilli ishte afati i fundit që Kosova duhet të zgjidhte presidentin. Ndërsa më 27 prill seanca plenare dështoi tre herë në të njëjtën ditë, pasi opozita bojkotoi procesin. Me skadimin e afatit të Kushtetutës, Kuvendi u shpërnda dhe u shpallën zgjedhjet e reja parlamentare. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, shpalli zgjedhjet e parakohshme me 7 qershor 2026.
Kështu, vetëm katër muaj pas zgjedhjeve të dhjetorit 2025, Kosova hyn sërish në fushatë elektorale. Këtë herë Albin Kurti do të ketë si kundërshtare politike Vjosa Osmanin, pasi Lidhja Demokratike e Kosovës ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi me ish-presidenten për zgjedhjet e parakohshme.
Ndërkohë kostoja e zgjedhjeve të parakohshme pritet t’i kushtojë buxhetit të shtetit të Kosovës rreth 11 milionë euro. Zgjedhjet e 7 qershorit 2026 pritet të jenë vendimtare për të ardhmen politike të vendit, ndërsa qytetarët presin që vendi të shkojë drejt stabilitetit politik dhe funksionimit normal të demokracisë./ZËRI



