100 vjet BSH

100 vjet BSH

Nov 13, 2025 | 8:28






























fatoscocoliFATOS ÇOÇOLI

Viti 2025 shënon një moment historik për shtetin dhe shoqërinë tonë: 100-vjetorin e krijimit të Bankës së Shqipërisë, institucionit më të rëndësishëm financiar të vendit. Ky institucion ka udhëhequr për një shekull rrugën e stabilitetit monetar, zhvillimit financiar dhe modernizimit ekonomik të Shqipërisë. Kjo ngjarje nuk është vetëm një jubile institucional, por edhe një rast për reflektim mbi rrugëtimin e ekonomisë shqiptare nga vitet e para të shtetit, deri në ditët e sotme.

Historia e Bankës së Shqipërisë fillon më 1925, me krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipnisë. Kjo bankë emetoi frangën shqiptare, monedhën e parë kombëtare, duke forcuar pavarësinë monetare të vendit. Pas Luftës së Dytë Botërore, me vendosjen e sistemit socialist, banka u shndërrua në Bankën e Shtetit Shqiptar, duke përfshirë edhe funksionet e një banke tregtare. Për afro gjysmë shekulli (1945-1990), ajo ishte institucioni i vetëm financiar i vendit, që drejtonte në mënyrë të centralizuar të gjithë sistemin bankar dhe kreditimin e ekonomisë së vendit.

Periudha pas viteve 1990 solli ndryshime rrënjësore. Me kalimin në ekonomi tregu, më 1992 u krijua Banka e Shqipërisë si bankë qendrore e pavarur, me një mision të qartë: ruajtjen e qëndrueshmërisë së çmimeve dhe forcimin e qëndrueshmërisë financiare të vendit. Ky moment shënoi lindjen e sistemit modern bankar shqiptar dhe integrimin e tij në ekonominë ndërkombëtare. Gjatë 100 viteve të ekzistencës, Banka e Shqipërisë ka kaluar disa faza historike, por në çdo periudhë ka mbajtur një rol thelbësor për ekonominë e vendit. Në vitet ’20–’30 të shekullit të kaluar, ajo hodhi bazat e sistemit monetar dhe bankar kombëtar.

Në periudhën e komunizmit 1945–1990, banka financoi industrializimin dhe zhvillimin ekonomik, brenda një modeli të centralizuar. Në periudhën e tranzicionit demokratik 1992-2013, Banka e Shqipërisë u bë garancia kryesore e qëndrueshmërisë makroekonomike, duke menaxhuar krizën e inflacionit dhe stabilizuar lekun. Periudha 2014–2025 përbën një kapitull të ri në historinë e Bankës së Shqipërisë. Kjo është periudha e karakterizuar nga dixhitalizimi, transparenca, forcimi institucional dhe përshtatja me standardet evropiane. Në këtë kohë, Banka e Shqipërisë është shndërruar nga një institucion rregullator tradicional, në një bankë qendrore moderne, e aftë të përballet me sfidat e teknologjisë financiare, të ruajë stabilitetin në kohë krizash dhe të udhëheqë zhvillimin ekonomik përmes inovacionit dhe profesionalizmit. Pas vitit 2014, pas ngjarjeve që preken besueshmërinë e institucionit, u ndërmor një proces i thellë reformimi të brendshëm.

Qëllimi ishte forcimi i qeverisjes, transparencës dhe integritetit institucional. U përmirësua kuadri ligjor i Bankës së Shqipërisë, duke përafruar ligjin e vitit 1997 me direktivat e Bashkimit Evropian dhe standardet e Bankës Qendrore Evropiane. U ngritën mekanizma të rinj të kontrollit të brendshëm, auditimit dhe përgjegjshmërisë publike. U forcuan kapacitetet analitike dhe pavarësia e politikës monetare, duke e kthyer Bankën në një institucion të qëndrueshëm e profesional pas një periudhe tronditjesh. Ky proces reformash solli rifitimin e plotë të besimit të publikut dhe të partnerëve ndërkombëtarë, duke rikthyer autoritetin e Bankës si shtylla kryesore e stabilitetit financiar të vendit.

Një nga transformimet më të dukshme të këtyre viteve është dixhitalizimi i thellë i proceseve dhe shërbimeve bankare. Banka e Shqipërisë udhëhoqi modernizimin e infrastrukturës kombëtare të pagesave dhe komunikimit financiar. Në vitin 2015 u përfundua modernizimi i sistemit të pagesave ndërbankare AIPS dhe AECH, me standarde të përputhshme me sistemet e SEPA-s (Zona e Pagesave Evropiane). Në vitin 2020, Banka nisi projektin për pagesat me vlerë të vogël në kohë reale (Instant Payments), duke hedhur themelet e përdorimit të menjëhershëm të fondeve midis qytetarëve dhe bizneseve. U ngrit Qendra e Raportimit Financiar Elektronik, që mundëson raportim në kohë re ale të treguesve të bankave tregtare. Gjatë pandemisë COVID-19 (2020–2021), Banka e Shqipërisë aplikoi plotësisht protokollet elektronike për komunikim, raportim dhe vendimmarrje. Falë këtyre zhvillimeve, infrastruktura financiare shqiptare është sot më efiçiente, më e sigurt dhe më e përshtatshme për integrimin me sistemet evropiane të pagesave.

Hyrja efektive e Shqipërisë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) që nga 7 tetori 2025, përbën një ndër arritjet më të rëndësishme të vendit në rrugën e integrimit ekonomik dhe financiar me Bashkimin Evropian, ku Banka e Shqipërisë luajti rolin kyç si institucioni përgjegjës për modernizimin e infrastrukturës së pagesave dhe përafrimin e rregulloreve financiare të vendit. Gjatë viteve 2014–2025, Banka e Shqipërisë ka rritur ndjeshëm rolin e saj ndërkombëtar, duke u bërë anëtare aktive e rrjetit të bankave qendrore të Evropës Juglindore (SEEN) dhe e bashkëpunimit me Bankën Qendrore Evropiane dhe duke nënshkruar memorandume bashkëpunimi me bankat qendrore të rajonit dhe me Bankën e Italisë për shkëmbim ekspertize dhe mbështetje teknike. Kështu, Banka e Shqipërisë është kthyer në një institucion referencë rajonale për stabilitetin dhe reformimin financiar.

Synimi i saj është që deri në vitin 2030, të jetë plotësisht e integruar në infrastrukturën financiare evropiane dhe e aftë të përballojë transformimet që sjell epoka dixhitale, përfshirë edhe monedhën dixhitale të bankës qendrore (CBDC), për të cilën tashmë janë bërë studimet e para. Dhjetë vitet e fundit shënuan kalimin e Bankës së Shqipërisë nga stabiliteti tradicional në modernitet dixhital. Me reforma të thella në qeverisje, përmirësim të transparencës, integrim rajonal dhe adoptim të teknologjive të reja, Banka është sot një institucion i qëndrueshëm, i besueshëm nga qytetari dhe me vizion afatgjatë./ Gazeta Panorama 

© Panorama.al



Te lidhura














 












Source link

Scroll to Top